Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin tonë, Vuçiqi po

Advertisement

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se të dyja palët, si Kosova ashtu dhe Serbia, janë në “shkelje të drejtpërdejtë të obligimeve të tyre të dialogut”.

Megjithatë, Borrell tha sot në një konferencë për media se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk e pranoi propozimin e sotëm të Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndërkaq presidenti serb Aleksandar Vuçiq e pranoi.

“Ne propozuam atë që e pamë si të vetmin kompromis sot. Le të punojmë në kohë paralele”, tha Borrell, duke shpjeguar se ky model do të thoshte që të dyja palët të marrin nga një obligim prej pikave të Marrëveshjes për Normalizim dhe t’i zbatojnë ato në kohë paralele.

“Sot unë provova me z. Kurti dhe z. Vuçiq që të arrijmë marrëveshje bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ishte gati të ecte përpara dhe të filloj një proces drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai insistoi që pika e njohjes de-facto të ishte hapi i parë. Z. Vuçiq erdhi me një propozim tjetër, por përfundimisht ai pranoi propozimin tonë”, tha Borrell.

Advertisement

Borrell tha se të dyja palët janë duke kryer shkelje të rënda të obligimeve të tyre të rrjedhura nga dialogu.

“Të dyja, Kosova dhe Serbia, janë në shkelje të drejtpërdrejtë dhe të rëndë të obligimeve të dialogut dhe në shkelje të premtimeve të tyre”, tha Borrell.