Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë thirrje që liberalizimi i vizave për kosovarët të mos lidhet fare me (mos)zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Këtë koment, Von Cramon e dha pas një deklarate të bujshme të Presidentit të Francës, Emanuel Macron, i cili ‘kërcënoi’ me vazhdim të regjimit të vizave nëse nuk ecet para drejt de-eskalimit të tensioneve me Serbinë përmes dialogut, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave. Duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të jetë i lidhur me dialogun me Serbinë. BE duhet ta mbajë premtimin për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm nga 1 janari 2024”, ka shkruar komisionerja në platformën X, ku ka bashkangjitur edhe pjesë të deklaratës së përbashkët të eurodeputetëve.
Deklarata e Presidentit Macroni, alarmoi, mes të tjerëve, edhe Presidenten e vendit, Vjosa Osmanin, e cila në qershor pati thënë se Kosova ka marrë garanc i që vizat s’do të kthehen.
E para e shtetit konsideroi se një veprim i tillë do ta dëmtonte dialogun përgjithmonë. Kësaj, Osmani ia shtoi edhe faktin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave “e nuk i është bërë dhuratë”.
“Ndëshkimi i tillë i paprecedent, padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, nuk ka askush mandat në republikën e Kosovës të shkojë në Bruksel kur populli i Kosovës ndëshkohet në atë formë. Kosova e ka merituar, nuk i është dhënë dhuratë. I ka plotësuar kriteret”, ka deklaruar Presidentja Osmani.
Më 19 prill, është nënshkruar akti ligjor përmes së cilit edhe ligjërisht Kosovës i janë liberalizuar vizat.
Liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi në datën e funksionalizimit të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 janari 2024, pra, edhe nëse ky sistem nuk hyn në funksion deri në atë datë.
Sipas rregullave të Parlamentit Evropian, liberalizimi i vizave nënkupton që qytetarët e Kosovës do të kenë kohë të qëndrojnë 90 ditë në Zonën Shengen, në një periudhë prej 180 ditësh. /Reporteri.net/.