“Përgjegjësia bie mbi Kurtin”/ Kërkohen dorëheqje në nivele të larta politike pas dosjes së Prokurorisë për rezervat shtetërore

Advertisement

Përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka gjetur se ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar nuk ka mbërritur në Kosovë.Sipas dosjes së Prokurorisë, në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë, edhe pse janë paguar paratë te kompanitë turke e polake.

Sipas Prokurorisë, vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë është mbi 600 mijë euro.Sipas dosjes së Prokurorisë, biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit dhe ai ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte ndihmuar Irfan Lipovicës dhe Haviz Garës iu kishte krijuar kushte për negocimin me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.

“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.Por, a duhet të japë dikush përgjegjësi politike për gjithë këtë?

Lidhur me këtë, ish ambasadori Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se rasti është në proces gjyqësor, por që ky rast ka shpërfaqur shumë të meta të Qeveri, posaçërisht të kryeministrit.“Rasti është tash në proces gjyqësor dhe zakonisht nuk flas kurrë për rastet që janë në proces. Megjithatë ky rast ka shpërfaq shumë të meta te Qeverisë aktuale e posaçërisht të Kryeministrit. 1) Sulmi i vazhdueshëm i sistemit të drejtësisë dhe tendenca që të shndërrojnë sistemin e drejtësisë në organ partiak të VV-së 2) arsyetimi i korrupsionit të tyre me korrupsionin e mëhershëm. Neve po na arrestojnë e ata nuk i kanë arrestuar, 3) keqmenaxhimi i parasë publike, konkurrenca e padrejtë dhe kyçja e palëve të treta në formë sekserësh për blerje publike me para te taksapaguesve”, thotë ai.

Sipas Arifit, duhet të ketë dorëheqje të nivele të larta, konform përgjegjësive ligjore, por që përfshirja e kryeministrit është shumë shqetësuese.“Natyrisht se duhet dorëheqje e niveleve të larta konform përgjegjësive ligjore por si në rastin e KEK-ut (siç përflitet në media) edhe këtu përfshirja e Kryeministrit është tepër shqetësuese”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.

Advertisement

Sipas Sherifit, Kurti e ka zëvendësuar parullën “me hajna nuk ka shtet” në “pa hajna nuk ka pushtet”, derisa ai nuk është kundër hajnave të tij.“Tanimë është e qartë që parullën që e përdorte sa ishte në opozitë “me hajna nuk ka shtet”, e ka zëvendësuar me parullën: “pa hajna nuk ka pushtet”! Pra, Albin Kurti paska qenë kundër hajnave tjerë por jo kundër hajnave të tij! Për fund, historia na mëson që askush asnjëherë nuk mbron kryesit e një krimi nëse nuk është i përfshirë në krim rrethi i tij i ngushtë apo personalisht ai vet”, potencon Bilall Sherifi.

Ndërsa, analisti politik Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se në këtë rast e tërë përgjegjësia politike dhe penale është e Kurtit.“Në këtë rast, e tërë përgjegjësia politike dhe penale është e Kryeministrit Kurti, sepse ai pushtetin shtetëror po e ndanë me persona parapolitik dhe sekserë. Ai sistemin e sigurisë dhe sekretin shtetëror ua ka besuar njerëzve që nuk e kanë kaluar testin e sigurisë”, shprehet ai.

Matoshi vlerëson se Kurti po e drejton shtetin me persona që nga organet shtetërore janë shpallur të padëshiruar, andaj sipas tij, ai e sulmon sistemin e drejtësisë.“Kurti po e drejton shtetin me individë që nga organet shtetërore janë shpallur të padëshiruar dhe me byrektorë seksera! Prandaj sulmon brutalisht sistemin e drejtësisë, i cili, mbështetur në doktrinën aksidentale të jurisprudencës, po e mbron me sukses shtetin kosovar, nga lëvizja antiestabilishment e Kurtit”, deklaron analisti Halil Matoshi.