Vizita e Kurtit në Maqedoninë e Veriut, reagon Hovenier

Advertisement

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeff Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë të mediave kosovare, të mërkurën, ku ka marrë pjesë edhe Gazeta Express, ka folur edhe rreth vizitës së Kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut. Ai është përgjigjur pyetjeve rreth reagimeve të Presidentit të Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe Presidentt të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kurti ka promovuar Shqipërinë e Madhe atje.

Hovenier ka shpalosur qëndrimin e SHBA’së rreth kësaj pa hyrë në detaje të vizitës së Kurtit.

“Mendoj se të gjithë ne kemi parë një numër të deklaratave publike për këtë vizitë dhe ngjarjet në Maqedoninë  e Veriut që lidhen me vizitën e Kryeministrit Kurti. Nuk e di nëse është e përshtatshme që unë të flas për specifikat e vizitës. Por kam parë që në komentet publike ka brengosje për idenë e Shqipërisë së Madhe, si diçka që që është diskutuar në kontekst  të kësaj vizite. Dua ta ritheksoj pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Është shumë me rëndësi dhe dua ta lexojë fjalë për fjalë qëndrimin e qeverisë amerikane për këtë, që ta bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin Shqipërinë e Madhe dhe nuk e mbështesim as Serbinë e Madhe” ka thënë Ambasadori amerikan.

Advertisement

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin rivizatimin e kufijve shtetërorë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpejekje për të bërë diçka të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese . SHBA’të të mbështesin fuqishëm integritetin territorial të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor përfshirë Kosovën” ka shtuar tutje Hovenier.