Një shtetase ruse është kthye mbrapsht për në Gjermani ku edhe jeton, të shtunën, pasi fillimisht ateroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Bashkëshorti i saj tha se ndalimi i saj kishte të bënte me shtetësinë ruse edhe pse ajo prej vitesh jeton në Gjermani.
Madje ai tha se viteve tjera pushimet i kanë kaluar në Kosovë.
“I kanë thënë Rusia është në sanksione. Ti e ke pasaportën e Rusisë dhe s’mund të hysh në Kosovë… S’kemi pas kurrë probleme, hera e parë që po ndodh, kena pas me ardh në Kosovë, gruaja u nis me aeroplan se beba e vogël e unë me dy fëmijët e tjerë kam pas me ardh në Kosovë të premten që vjen”, tha ai dje për “Teve1”.
Lidhur me këtë çështje janë deklaruar sot nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
Zyrtarë të kësaj ministrie i kanë thënë Gazetës Express, se të gjithë shtetasit e Federatës Ruse për të hyrë në Kosovë duhet që të pajisen me vizë të veçantë për hyrje.
“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të Pasaportave të rregullta, zyrtare dhe diplomatike, si dhe ata që kanë leje qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Schengen, përfshirë bartësit e vizës valide Schengen shumë hyrëse, obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës, për hyrje, transit dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës. E njëjta ka poseduar Pasaporten Ruse dhe Lejeqendrimin Gjerman , prandaj nuk ka plotësuar kushtet për Hyrje në RKS.”, kanë thënë nga MpB.
\
Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.
Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 30 shtator të 2022-ës.
“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti.
Më herët qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë.
Gjithashtu, liroheshin nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare edhe shtetasit e vendeve për të cilët Kosova aplikon regjim vizash, por të cilët kishin leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen./Gazeta Express/