Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe i cili në plot 23 nene ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës, i kishte dhënë brum edhe më të madh kundërshtimit të kësaj marrëveshje nga asobote opozitari Albin Kurti, tash kryeministër, shkruan Insajderi.
Kurti këtë aktvendim të GjK-së e merrte për konfirmim të pakontestueshëm se kjo marrëveshje “për Zajednicën” kishte vdekur përfundimisht me atë vlerësim. Megjithatë, Asociacioni, tash në qeverisjen e tij, ka përjetuar ringjalljen e saj si temë, për t’u bërë edhe parakusht i një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Në pikë të natës, Albin Kurti dhe zv/kryeministri i tij, Besnik Bislimi, takuan Ndërmjetësin Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku, siç lajmëroi ky i fundit “u pajtuam” që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogut “duhet të zbatohen”, e ku nënkuptohet në rend të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Në anën tjetër, ShBA ka premtuar se ky Asociacion “do të bëhet me ose pa përfshirjen e qeverisë kosovare”, për çka edhe kanë thirrur takim me përfaqësues politik dhe shoqëri civile më 31 janar. Për këtë, Kurti ende s’është deklaruar në do të merr pjesë ose jo.
Ndërkaq të hënën instituti gjerman FES do të shpalojë publikisht një draft-statut për Asociacionin, tashmë të emërtuar ndryshe si “Asociacion i Komunave në Republikën e Kosovës ku Serbët e Kosovës janë Shumicë”.
Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për normalizim raportesh më 2013. “Marrëveshje e Parë mbi Parimet Udhëzuese për Normalizim të Marrëdhënieve” e cila kishte 15 pika ndërsa boshti kryesor i saj ishte krijimi i një Asociacioni/Bashkësie për komunat me shumicë serbe.
Kjo marrëveshje në vitin 2015 ishte avancuar në hartimin e Parimeve të Përgjithshme dhe Elementet Kryesore, ku Gjykata Kushtetuese kishte evidentuar 23 nene në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Çfarë nuk mundej e çfarë nuk bënte, sipas GJKK-së?
Kjo marrëveshje ishte problematike në vete.
“Komunat nuk mund të delegojnë kompetenca qe me Kushtetutë dhe me Ligj duhet të ushtrohen vetëm nga organe komunale të zgjedhura në mënyrë demokratike”, vërente Gjykata Kushtetuese.
Nuk bënte që Asocacioni të “ushtrojë vështrim të plotë” (excercise full overview), frazë kjo e cila përbënte problem në vetvete.
GJK kishte vërejtjet e saj “lidhur me terminologjinë e përdorur në pikën 4 të Parimeve të Përgjithshme, posaçërisht me frazën ‘ushtron vështrim të plotë’ që është e paqartë dhe nuk mund të gjendet në literaturën juridike; apo në jurisprudencë, dhe ‘nuk paraqitet ne bazën e të dhënave të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian apo në ndonjë tekst tjetër Ligjor ne internet’”.
Tjetra ishte kriteriumi etnik, e cila nuk mund të ishte në interesin e përbashkët të komunave, shkruan Insajderi.
“.. Kjo për faktin se përkatësia etnike nuk hyn në sferën e kompetencës ose funksionit komunal mbi bazën e të cilit komunat mund të kërkojnë bashkëpunim ndërkomunal dhe ndërkufitar sipas nenit 124, paragrafi 4, të Kushtetutës dhe sipas nenit 10, paragrafi 1, të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale
“… përdorimi i frazës ‘komuna me shumice serbe’ në titullin dhe në tekstin e Parimeve të Përgjithshme duhet të shpallet si e papajtueshme me nenin 3, paragrafi 1, dhe me nenin 124, paragrafi 4, të Kushtetutës, si dhe me nenin 10, paragrafi 1, të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale”, thuhej në aktvendim.
Ky Asociacion, nuk mund të kishte ekskluzivitet dhe autoritet të plotë për të promovuar interesat e komunitetit serb në raport me me autoritetet qendrore shtetërore, thoshte GJK.
“Kësisoj, Gjykata gjen se Asociacioni/Bashkësia nuk mund të vishet me autoritet te plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e tij/saj me autoritetet qendrore. Duhet theksuar se Asociacioni/Bashkësia hyn në fushëveprimin e përkufizimit të komunitetit, në kuptim të nenit 57.1 të Kushtetutës”, shkruante GJK në aktvendim.
Gjykata Kushtetuese konstatonte se kur të elaborohen Parimet e këtij Asociacioni në marrëdhëniet me autoritetet qendrore në një akt juridik dhe Statut, duhet të sigurohet që Asociacioni të jetë në përputhje me Kapitullin III të Kushtetutës së Kosovës si dhe të mos zëvendësojë ose minojëautoritetin e cilitdo asociacion të komuniteteve.
“Rrjedhimisht, Gjykata gjen se Asociacionit/Bashkësisë nuk mund t’i jepet e drejta të propozojë amandamente në legjislacion dhe në rregullore të tjera, siç thuhet në Parimin #10 të Parimeve”.
“Një organ i themeluar për qëllime të bashkëpunimit ndërkomunal është i formuar nga komunat dhe operon për to. Kësisoj, komunat ia delegojnë kompetencat dhe resurset këtij organi. Për më tepër, komunat nuk mund të delegojnë kompteneca që me Kushtetutë dhe me lifgj duhet të uzshtrohen vetëm nga organet komunale të zgjedhura në mënyrë demokratike”.
Këto janë vetëm disa prej plot 23 shpërputhjeve që ky Asociacion kishte me Kushtetutën e Kosovës.