Së paku 3 mijë e 500 raketa “Grad”, prodhim i fabrikës shtetërore serbe të prodhimit të armëve ushtarake “Krushik”, janë dërguar në Ukrainë, zbulojnë dokumentet të cilat i ka siguruar Paparaci.
Serbia, edhe pse vazhdon të luajë me dy karta në orientimin e saj politik, ka miratuar shitjen në Ukrainë të municionit të prodhuar nga një fabrikë shtetërore e saj – përmes ndërmjetësve në Turqi.
Paparaci ka siguruar dokumente të cilat dëshmojnë dërgesat e armëve, llojet e tyre dhe lejen e dhënë nga regjimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Dokumentet që ka siguruar Paparaci, tregojnë se Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës ka pranuar 3 mijë e 500 raketa serbe të tipit “GRAD” në tetor të vitit të kaluar. “GRAD” janë raketa vetëlëvizëse, të cilat mund të shkatërrojnë objektiva në një distancë prej 20 kilometrave, të prodhuara në Serbi.


