Pas dënimeve më të ashpra amerikane që pasuan ndaj shtetit të Kosovës për marrjen e saj me forcë të tri komuanve në veri të vendit të banuara me shumicë serbe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të dëgjonte ose t’i përgjigjej kërkesave amerikane, doli në një nga televizionet kabllore më të shikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shtrirë në afro 80 milionë abonues amerikanë, CNN. Një ditë më vonë, njëjtë do të bënte edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Aty, të dy liderët, do të shpalonin versionet e tyre të situatës së tensionuar ashpër në tri komunat veriore – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kryeministri Albin Kurti, mesazhin e tij në CNN do ta konkludonte se “Republikën demokratike nuk ia dorëzoj një milicie fashiste” ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, citoi deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe atë të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Kurti, la të kuptojë se nuk bëhet fjalë tërheqja e policisë kosovare nga afërsia e komunave e aq më pak përmbushja e kërkesës (amerikane) që kryetarët e komunave (vetëm ai i Vetëvendosjes, Lulzim Hetemi) të punonte ndoku tjetër që nuk është objekti (i stërmbrojtur) komunal i Leposaviqit.
Në këtë linjë do të qëndronte Presidenti i Serbisë, Vuçiq, duke ia rikujtuar intervistueses amerikane se legjitimiteti i këtyre kryetarëve (me rreth 3% të votave) është ajo çfarë nuk e kanë te serbët lokalë.
“Policia duhet të jetë në çdo komuna si në çdo komuna në republikën tonë. Janë gjithsej 38 komuna. Po, për sa kohë të jetë një turmë e dhunshme jashtë ndërtesës, nuk mund të kem vetëm pak policë. Më duhet të kem policë që ruajnë rendin dhe ligjin. Komuna është për të gjithë, e jo vetëm për bandat kriminale.” – ka thënë Kurti.
Vuçiq, në anën tjetër, pyetur për vlerësimin e bërë se “nuk i dorëzon” objektet komunale “një milicie fashiste”, shprehet se “kjo tregon më shumë për të”.
“Vetëm dy gjëra janë të rëndësishme. I ftuari juaj foli rreth zbatimit të asaj që është pranuar. Së pari, Beogradi ka zbatuar të gjitha. Dhe vetëm një gjë është çfarë Prishtina duhet të bëjë, të zbatojë Asociacionin, nuk e kanë bërë dhe nuk do ta bëjnë”, ka thënë Vuçiq, raporton Novosti.rs.
Prezantueses, Vuçiq ia shtroi pyetjes “nëse ke dëgjuar ndonjëherë për zgjedhje ligjore dhe legjitime me 3%” ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte frazuar si “e kuptoj që legjimiteti i tyre është i ulët, por i të tjerëve është zero”.
Këtu, Vuçiq u ndal sërish te vlerësimi i Kurtit për “milicinë fashiste” duke iu referuar kryesisht dhunës që shpërtheu nga protestuesit serbë të hënën ku lënduan rëndë afro 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë. Vuçiq tha se “ndjehet keq
“Kurti po i quan 97% të njerëve në veri fashistë, kriminelë, nacionalistë ekstremë, njerëz të shantazhuar”, shtoi ai derisa Kurtit ia faturoi “fajin” se që nga ardhja e tij në pushtet “janë regjistruar 353 sulme të etnikisht të motivuara”.
“Vetëm nga fillimi i këtij viti kemi pasur pesë të shtëna me armë zjarri ku viktimat kanë qenë serbë. Gjashtë përfshirë atë të djeshëm. Në këtë përfshij edhe dy fëmijët që u plagosën” – tha Vuçiq.
“Pastaj ne ramë dakord, kështu që njerëzit votuan katër herë. Nuk ka pasur asnjëherë problem. Kurti kur erdhi në pushtet, ua ndaloi serbëve të votojnë në referendum dhe në zgjedhje. Por më e rëndësishmja, ai nuk e formoi Asociacionin, që është kushti kryesor për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale dhe parlamentare” – tha presidenti i Serbisë.
Duke kujtuar kritikat e ambasadorit amerikan në Prishtinë ndaj autoriteteve të Kosovës, Vuçiq u pyetur se cila është “vija e kuqe” e Serbisë, ai tha se është i kënaqur me deklaratat e fundit të sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken, si dhe deklarata e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili prezantoi se si janë gjërat në terren.
“Duke folur për obligimet serbe, ne veprojmë 100 për qind në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës të lidhur me NATO-n. Ne nuk kemi hyrë në territorin e Kosovës me asnjë ushtar, nuk kemi shkelur asnjë rregull ndërkombëtar. Kemi bashkëpunim profesional me KFOR-in dhe NATO-n në Mendoj se do të mund ta mbajmë atë bashkëpunim profesional me NATO-n.”, përfundoi ai.