Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, rezultatet për të dy kandidatët kryesorë mbetën pak nën kufirin prej 50 për qind, pasi u hapën të gjitha kutitë e votimit.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan udhëheq me 49.5 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës së bashkuar Kemal Kılıçdaroğlu ka arritur të ngushtojë rezultatin në 44.89 për qind, shkruan CNN në edicionin turk.
I treti renditet kandidati Sinan Ogan, me 5.17 për qind të votave.
KY rezultat e dërgon presidentin turk në balotazh me kandidatin e opozitës së bashkuar.
Muharrem Ince dhe pse tashmë është i tërhequr, ka marrë 0.44 për qind të votave.
Sa i takon partive, ajo e Erdogan AKP-ja ka marrë 35.58 për qind.
Ndërkaq partia e CHP-ja ka marrë 25.33 për qind, por Aleanca Popullore në pushtet, e cila përfshin AKP-në dhe disa parti të tjera më të vogla, mbajti pak më shumë se 50 për qind të votave.
Rezultati më i qartë i zgjedhjeve turke është ngritja e nacionalistëve. Ndryshe nga sa pritej, MHP, aleati i AKP-së, rriti votat e saj.
Një tjetër nacionalist Sinan Oğan, me politikën e tij kundër refugjatëve, gjithashtu mori më shumë vota sesa pritej në garën presidenciale.
Plani i Kılıçdaroğlu për të fituar zgjedhjet me HDP-në dhe qëndrimin e Erdogan-it për refugjatët ka çuar në një rritje të nacionalizmit.
Me
zgjedhjet që shkojnë në raundin e dytë, mbështetësit e Ogan-it kanë më shumë gjasa të kthehen drejt Erdogan-it për shkak të marrëdhënies së Kiliçdaroglu me HDP.
Kujtojmë që Turqia mban zgjedhje çdo pesë vjet.
Kandidatët presidencialë mund të propozohen nga partitë që kanë kaluar pragun prej 5% të votuesve në zgjedhjet e fundit parlamentare, ose ato që kanë mbledhur të paktën 100 mijë nënshkrime në mbështetje të nominimit të tyre.