Sekretari i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë se vendimi i Rusisë për suspendimin e pjesëmarrjes në marrëveshjen bilaterale për kontrollin e armëve bërthamore, tregon se bota po bëhet vend ‘më i rrezikshëm’.
Stoltenberg i ka bërë thirrje Moskës që ta ‘shqyrtojë edhe një herë vendimin’, shkruan Guaradian, përkthen Periskopi.
Stoltenberg ka folur në një konferencë në zyret e NATO-së në Bruksel, pasi presidenti rus Vladimir Putin, ka fajësuar Perëndimin për luftën në Ukrainë si dhe ka bërë me dije planin e tij për t’u tërhequr nga Marrëveshja START.
Më shumë armë bërthamore dhe më pak kontroll ndaj tyre, e bëjnë botën një vend shumë më të rrezikshëm”, tha Stoltenberg derisa po qëndronte në konferencë bashkë me ministrin e jashtëm ukrainas, Dmytri Kuleba dhe shefin e BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
Duke iu kundërpërgjigjur Vladimir Putinit, rreth akuzave se ‘Perëndimi po bënte përpjekje për ta shkatërruar Rusinë’, Stoltenberg tha se ‘është Moska ajo që filloi agresionin në Ukrainë para një viti’.
“Është presidenti Putin ai që filloi këtë luftë. Dhe, siç e bëri sot të qartë ai (Putini), ai po përgatitet për më shumë luftë. Putini nuk duhet të fitojë. Kjo do të ishte shumë e rrezikshme për sigurinë tonë dhe të gjithë botës”, tha Stoltenberg.
“Dënoj vendimin e Rusisë që ta pezullojë pjesëmarrjen në programin START”, tha Stoltenberg,
Ndërkohë në Athinë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ‘ky hap i Rusisë është i papërgjegjshëm” dhe se ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shikojnë me kujdes veprimet e ardhshme të Moskës’.
Kujtojmë se marrëveshja për të cilën Putin sot njoftoi se Moska do të hiqte dorë prej saj, është nënshkruar mes Moskës dhe Uashingtonit në vitin 2010 dhe përcakton limitin e numrit të armëve bërthamore për dy vendet që janë superfuqi nukleare dhe ajo do të skandonte në vitin 2026./Periskopi