Në Gazë – një nga zonat më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme në botë – Kosova po hyn për herë të parë në një mision ndërkombëtar stabilizues, të mandatuar nga Kombet e Bashkuara.
Ushtarët e saj po vendosen në një terren, ku kufiri mes kontrollit dhe kaosit është i paqartë.
Në këto kushte, Kosova afrohet më shumë me skenën globale, por, njëkohësisht, edhe me rreziqet që e shoqërojnë atë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës së Izrael it në Gazë.
Ajo parashihet si një forcë shumëkombëshe, që do të vendoset në këtë enklavë për të trajnuar policinë, për të ndihmuar në sigurimin e kufijve dhe ruajtjen e rendit, si dhe për të mbështetur çmilitarizimin e territorit nga Hamasi.
Ky grup palestinez, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera, kontrollon Gazën që nga viti 2006 dhe e ndezi luftën me sulmin e tij masiv në territorin izraelit në tetor të vitit 2023.
Maqedonci, për arsye sigurie, thotë se nuk mund të japë shumë detaje, por konfirmon se kontingjenti i parë kosovar do të përbëhet nga 22 pjesëtarë. Sipas tij, ata do t’i nënshtrohen rotacionit deri në fund të vitit 2027, kur edhe pritet të përfundojë misioni i Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.