Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar orientimet indikative të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2026, duke paralajmëruar zgjerim të ndjeshëm të mbështetjes për sektorët strategjikë të bujqësisë dhe prodhimit agro-ushqimor në vend.
Sipas ministrit Armend Muja, programi i ri përfshin një kombinim të pagesës bazë, pagesave të lidhura me prodhimin, masave për stabilizimin e tregut, pagesës rishpërndarëse për hektarin e parë dhe eko-skemave. Qëllimi kryesor mbetet rritja e prodhimit vendor, forcimi i sigurisë ushqimore, zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe rritja e eksporteve.
Në kuadër të kulturave strategjike, gruri do të subvencionohet deri në 433 euro për hektar, ndërsa misri me 329 euro. Për elbin, tërshërën dhe thekrën parashihen nga 304 euro për hektar. Mbështetje më e lartë është planifikuar për lulediellin, deri në 454 euro për hektar, ndërsa fasulja dhe patatja mund të përfitojnë deri në 754 euro për hektar.
Sektori i perimeve dhe pemëtarisë mbetet ndër prioritetet kryesore. Perimet në fushë të hapur do të mbështeten me 704 euro për hektar, ndërsa prodhimi në sera arrin në 1,054 euro për hektar. Për pemët drufrutore, arroret dhe frutat manore, mbështetja shkon deri në 654 euro për hektar.
Kultivuesit e mjedrës do të përfitojnë 0.20 euro për kilogram të dorëzuar, si dhe 150 euro shtesë për hektar. Ndërkohë, sektori i vreshtarisë do të subvencionohet me 1,104 euro për hektar, përveç mbështetjes shtesë për verën dhe fidanët.
Programi konsiderohet si një nga më gjithëpërfshirësit në vitet e fundit, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë vendore dhe uljen e varësisë nga importet.