Ministria e Bujqësisë nëpërmjet një publikimi në Facebook ka publikuar shumën e subvencioneve të paraparë për secilin sektor të bujqësisë.
Sipas njoftimit të ministrit Armend Muja, programi i pagesave direkte për vitin 2026 kombinon pagesën bazë, ato të lidhura me prodhimin e kulturave prioritare, masat për stabilizimin e tregut, pagesën rishpërndarëse për hektarin e parë dhe ekoskema për të rritur prodhimin vendor e për të forcuar sigurinë ushqimore.
Ndarja në sektorë:
1. SIGURIA USHQIMORE DHE KULTURAT STRATEGJIKE
1.1 Drithërat
1.1.1 Gruri – Mbështetja standarde për grurin arrin në 304 €/ha, përmes pagesës bazë, masave për stabilizimin e tregut dhe mbështetjes për inpute bujqësore. Fermerët mund të përfitojnë edhe 100 €/ha shtesë për hektarin e parë, si pagesë rishpërndarëse në favor të fermave të vogla dhe të mesme. Përveç kësaj, fermerët përfitojnë pagesë shtesë prej 0.04 €/kg, bazuar në prodhimin dhe rendimentin e realizuar. Me një rendiment orientues prej 3,225 kg/ha, kjo përkthehet në rreth 129 €/ha mbështetje shtesë, duke e çuar mbështetjen totale potenciale deri në rreth 433 €/ha, pa përfshirë pagesën shtesë për hektarin e parë. Në kuadër të programit parashihet gjithashtu mbështetje specifike për prodhimin e farës së grurit, me qëllim forcimin e sigurisë ushqimore, rritjen e cilësisë së materialit mbjellës dhe zhvillimin e zinxhirit vendor të furnizimit me farë cilësore.