Bedri Hamza i përgjigjet Kurtit: Reagon për ofertën e kryeministrit

Advertisement

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se sot ka pranuar një komunikim nga kryetari e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Hamza bëri me dije se Kurti i ka bërë ofertë PDK-së për t’ia dhënë pozitën e kryetarit të Kuvendit në këmbim të qëndrimit të deputetëve të PDK-së në sallë.

Ai ka thënë se kjo nuk është serioze.

“Sot kam pranuar një komunikim nga Kurti në WhatsApp, ku PDK-së i bën një ofertë. Oferta është kjo: që deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë, të votojnë, dhe si rezultat i kësaj, PDK-së i ofrohet posti i kryetarit të Kuvendit, me një lloj ndryshimi që LVV-së me i kalu pozita e nënkryetarit të Kuvendit, të cilin aktualisht e ka PDK. Kjo nuk është serioze, sepse Kryesia e Kuvendit është konstituar, Kuvendi është i konstituar, janë zgjedhur, janë të votuar. Nuk e kemi kontestuar këtë çështje, nuk jemi duke folur për kryetar të Kuvendit. Nuk kemi shkuar të lypim pozitë as për veti, as për ndonjërin nga anëtarët e Partisë Demokratike. Kemi shkuar që me i dhënë vendit institucione dhe stabilitet politik. Kjo nuk është fare serioze dhe nuk është as kushtetuese”- deklaroi Hamza.

Advertisement

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Kështu është vlerësuar sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues të kësaj partie.

Në një deklaratë publike thuhet se mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e presidentit të ri.

Kryeministri Albin Kurti më 20.04.2026 pas takimit me Lumir Abdixhikun, kreun e LDK-së, tha se bisedimet mes tyre për çështjen e zgjedhjes së presidentit rezultuan të pasuksesshme.

Ai tha se i propozuan Abdixhikut që të bëhet zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 3 dhe LDK t’i ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera.