Qeveria e Kosova ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit në kuadër të projektit për Zhvillimin e Sektorit të Energjisë – Faza VII, një projekt që synon përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në vend.
Marrëveshja pritet të realizohet ndërmjet Ministrisë së Financave, ndërmarrjes KOSTT dhe institucionit financiar gjerman KfW, në kuadër të bashkëpunimit me donatorë ndërkombëtarë dhe institucione financiare bilaterale.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se vlera e grantit është 5 milionë euro dhe se këto mjete do të përdoren për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës së transmetimit të energjisë në Kosovë. Sipas tij, ky grant është pjesë e një projekti më të gjerë që synon forcimin e sektorit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike.
Murati ka theksuar se fondet do të kanalizohen plotësisht te KOSTT-i si agjenci ekzekutuese e projektit, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e investimeve në rrjetin e transmisionit. Ai ka shtuar se përmes këtij financimi do të rritet ndjeshëm aftësia e sistemit energjetik për të përballuar kërkesën dhe për të garantuar stabilitet më të madh në furnizim.
Ky projekt shihet si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës energjetike të vendit dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në sektorin e energjisë.