Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi, ka bërë publik deklarimin e pasurisë së saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, duke ofruar detaje mbi të ardhurat, pronat dhe obligimet financiare.
Sipas raportimit të fundit vjetor, ajo nuk posedon aksione në ndonjë kompani. Ndër pasuritë e luajtshme figuron një veturë e markës Fiat, e cila i është dhënë si dhuratë nga ish-bashkëshorti gjatë vitit 2023, me një vlerë prej rreth 13 mijë eurosh, ndërsa evidentohet në pronësi të prindërve.
Për sa i përket pasurive të paluajtshme, është deklaruar një shtëpi me sipërfaqe prej 66 metrash katrorë, e ndërtuar në vitin 1990 nga kursimet familjare. Vlera e saj është raportuar të jetë 400 mijë euro dhe gjithashtu rezulton në pronësi të prindërve.
Në aspektin financiar, Matoshi ka marrë një kredi në NLB Banka gjatë vitit 2025 për renovimin e shtëpisë, në shumën prej 15 mijë eurosh, nga të cilat mbi 12 mijë euro mbeten ende për t’u shlyer.
Ajo ka deklaruar edhe mbi 13 mijë euro mjete në bankë, të cilat, sipas saj, vijnë nga paga, kredia dhe të ardhurat e vajzës së saj.
Sa i përket të ardhurave, gjatë vitit 2025 ka realizuar rreth 18,943 euro nga paga si deputete, pa raportuar burime të tjera personale. Ndërkohë, në familje janë regjistruar edhe të ardhura shtesë nga angazhimet artistike, që kapin vlerën mbi 19 mijë euro.