Paga e 13-të për sektorin publik po shihet si diskriminues ndaj sektorit privat

Advertisement

Qeveria e Kosovës ka vendosur ndarjen e pagës së 13-të për rreth 85 mijë punonjës të sektorit publik, një masë që i kushton buxhetit të shtetit afro 75 milionë euro dhe që pritet të ekzekutohet më 31 mars.

Vendimi ka nxitur reagime nga përfaqësues të sektorit privat, të cilët e konsiderojnë atë të padrejtë dhe diskriminues, pasi nuk përfshin punëtorët jashtë administratës shtetërore.

Sipas Blendi Hasaj, një ndërhyrje më e drejtë do të ishte mbështetja e të gjithë punonjësve me paga të ulëta në ekonomi, duke përfshirë edhe sektorin privat. Ai thekson se studimet tregojnë që punëtorët në sektorin publik paguhen mesatarisht rreth 31% më shumë për orë pune dhe se inflacioni i fundit ka prekur më shumë sektorin privat.

Në të njëjtën linjë, edhe Jusuf Azemi ka kërkuar që kjo masë të shtrihet edhe tek punëtorët e sektorit privat, duke theksuar rolin e tyre në mbushjen e buxhetit të shtetit.

Advertisement

Nga ana tjetër, ministri i Financave Hekuran Murati ka sqaruar se pagesa do të bëhet proporcionalisht për ata që nuk kanë punuar 12 muaj të plotë ose janë me orar të pjesshëm, në bazë të kohës së angazhimit të tyre gjatë vitit.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se Qeveria është duke përgatitur edhe një paketë të re masash për përballimin e inflacionit, e cila pritet të përfshijë edhe sektorin privat.

Paga e 13-të ishte një premtim elektoral i bërë gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025 dhe është përfshirë në buxhetin e vitit 2026.