Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve,Hekuran Murati, ka dhënë sqarime lidhur me vendimin e Qeverisë për pagesën e 13-të në sektorin publik, duke detajuar se kush përfiton dhe si do të bëhet llogaritja.
Sipas tij, kjo pagesë do t’u takojë të gjithë punonjësve që paguhen nga buxheti i shtetit. Ata që kanë punuar 12 muaj të plotë do ta marrin pagën e 13-të të plotë, e cila llogaritet bazuar në koeficientin e pozitës që mbajnë.
Ndërkohë, për ata që nuk kanë një vit të plotë pune, pagesa do të jepet proporcionalisht me muajt e punës. E njëjta logjikë do të vlejë edhe për punonjësit me orar të pjesshëm.
Një vendim i veçantë është marrë për gratë në pushim lehonie: muajt e pushimit do të llogariten si muaj pune, në mënyrë që ato të mos humbin të drejtën për pagën e plotë të 13-të.
Nga kjo skemë përjashtohen zyrtarët që janë aktualisht të suspenduar.
Gjithashtu, në rastet kur një person mban më shumë se një funksion, paga e 13-të do të jepet vetëm një herë, duke u bazuar në pagën më të favorshme.