Një incident i rrezikshëm është regjistruar në Prishtinë, ku një shembje dheu ka shkaktuar dëme dhe ka bllokuar një rrugë të frekuentuar të qytetit.
Ngjarja ka ndodhur më 29 mars 2026 rreth orës 15:00 në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, ku pas rrëshqitjes së dheut është dëmtuar rruga, duke u bërë e pakalueshme për qarkullim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, hetuesit dhe krim-teknika, si dhe zyrtarë nga Drejtoria e Emergjencave dhe Sigurisë, Inspektorati Komunal dhe ai i Ndërtimit, përfaqësues të KOST-it dhe ekipet e ujësjellësit.
Si pasojë e shembjes, janë dëmtuar edhe dy kabllo të tensionit të lartë të energjisë elektrike, duke rritur rrezikun për sigurinë publike.
Rruga “Don Shtjefën Kurti” mbetet e bllokuar, ndërsa qytetarët po orientohen në rrugë alternative.
Sipas dyshimeve fillestare, shembja e dheut lidhet me punimet ndërtimore që po zhvilloheshin në afërsi të lokacionit.
Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar Fatmir Syla, ndërsa në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.