Mbrojtja pretendon se nuk ekziston asnjë provë kundër Hashim Thaçit dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm.
Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit në Hagë ka hyrë në fazën përfundimtare, pas më shumë se 33 muajsh shqyrtim provash dhe dëgjim të qindra dëshmitarëve. Në dosjen përmbyllëse prej qindra faqesh, mbrojtja ka argumentuar se gjatë gjithë këtij procesi nuk është paraqitur asnjë provë bindëse që do të vërtetonte përgjegjësinë e tij për akuzat e ngritura.
Sipas mbrojtjes, dëshmitë e 265 dëshmitarëve – përfshirë edhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë – kanë treguar se Thaçi nuk ka pasur rol komandues apo kontroll efektiv mbi strukturat e UÇK-së dhe nuk ka qenë i përfshirë në ndalime apo veprime të paligjshme. Madje, theksohet se asnjë dëshmitar i prokurorisë nuk ka deklaruar se ka marrë urdhra nga ai, apo se ka vepruar nën autoritetin e tij.
Në dosje thuhet gjithashtu se vetë pretendimet për përgjegjësi komandimi nuk janë mbështetur me prova konkrete dhe se ka paqartësi serioze në argumentet e prokurorisë. Mbrojtja pretendon se nuk është dëshmuar asnjëherë se Thaçi ka pasur kontroll real mbi individë apo struktura që dyshohet se kanë kryer shkelje.
Për më tepër, sipas mbrojtjes, edhe dëshmitarët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se Thaçi ka qenë figurë politike, pa rol ushtarak në UÇK dhe pa lidhje me ndalimet e civilëve apo me ngjarje të paligjshme gjatë dhe pas luftës.
Në përfundim, mbrojtja i ka kërkuar trupit gjykues që ta shpallë Hashim Thaçi të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës dhe të urdhërojë lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa procesi tashmë pret vendimin final të shkallës së parë.