Thellohet skandali, tash doli edhe një dokument ku përfshihet këshilltarja e Haxhiut

Advertisement

Këshilltarja politike e Albulena Haxhiut, Berita Abazi, del se ka pranuar 2 mijë e 851 euro nga organizata joqeveritare “Integra”, OJQ kjo e cila ishte bashkëhartuese e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të cilës ju pezullua leja nga Komuna e Prishtinës.

Në Regjistrin për Deklarimin e Pasurisë të vitit 2024, Berita Abazi kishte pranuar 2 mijë e 851 euro e 22 centë, ku burimi thotë “OJQ Integra”.

 

Sipas nenit 4.1.1.27 të Ligjit nr. 08/l-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, pozita të cilën mbante Abazi cilësohet si zyrtare e lartë. Në raport me zyrtarët e lartë, Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik ka përcaktuar se “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”. Pra, krahas ndaleses për angazhim në pozitë drejtuese, Ligji ka theksuar se në të gjitha rastet kur angazhimi është i lejuar, duhet të jetë pa shpërblim me pagesë, sikurse nuk ka ndodhur në rastin e Abazit, e cila është paguar mbi 2.851 euro.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar këshilltaren e Haxhiut, Berita Abazin, për ta pyetur nëse kishte konflikt interesi meqë Abazi atëkohë punonte si këshilltare e ministres Haxhiu në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa “Integra” dhe Ministria e Drejtësisë më parë kishin organizuar aktivitete bashkë.

Abazi tha për “Betimin për Drejtësi” se bashkëpunimi i saj me “Integra-n” nuk përbën konflikt interesi sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Për të garantuar transparencë dhe përputhshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi, para nënshkrimit të kontratës me OJQ “Integra” kam kërkuar opinion zyrtar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, si institucioni i vetëm kompetent për trajtimin e çështjeve të konfliktit të interesit. Pas shqyrtimit të rrethanave konkrete, kam marrë konfirmim se ky angazhim nuk përbën konflikt interesi dhe vetëm pas këtij vlerësimi kam proceduar me nënshkrimin e kontratës”, ka thënë Abazi.

Por, tek “Vendime dhe Opinione” në faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Betimi për Drejtësi nuk ka arritur të gjejë këtë vendim. Ndërsa Abazi ka premtuar se do t’ia sigurojë ndërkohë redaksisë së Betimit për Drejtësi.

Gjithashtu, Abazi ka ofruar shkëmbimin e emailave lidhur me këtë çëshjte me drejtorin e  Agjencisë Kundër Korrupsion, Yll Buleshkaj.

Betimi për Drejtësi ka kontaktuar edhe Yll Buleshkajn i cili ka thënë se Abazi ka pranuar sqarim meqë sqarim ka kërkuar dhe kjo është një formë e mënyrës së komunikimit.

Advertisement

“Varet prej çështjes, kur është në pyetje ‘a bënm a s’bën’ ne kthejmë përgjigjem nëse ka nevojë për opinion, kërkohet opinion për një çështje komplekse juridike, ne kthejmë edhe opinion. Nëse veçse ka ndodh dhe ne masnej e marrim vesh, ne e kryejmë edhe një hetim që është më i thellë në fund. Pra janë nja tri forma të mënyrës se si komunikojmë”, ka thënë Buleshkaj.

Sipas Buleshkajt, e-maili ka qenë një mendim juridik për Abazin.

“Ajo ka thënë a bën, e ka shpjeguar se tash s’po e mbaj mend se është moti, nëse s’harroj që dy vjet sigurt ose më shumë. Atëherë ka thënë a bën, ka kallëzuar çka është ajo, a është zyrtare e lartë a jo, pozita tjetër që janë në parim… atëherë unë jam konsultuar me departamentin pastaj e kam kthyer përgjigjen. Por, është mënyrë e zakonshme lëshojmë gati më shumë se një email. Nëse kërkojnë opinion, se mund të kërkojë opinion që i duhet për punëdhënësin dëshmi, ne pastaj mund ta bëjmë, por ajo merr kohë shumë më shumë. Kur dikush do një përgjigje më të shpejtë, mendimin tonë, se ky është një lloj mendimi juridik por nuk është taman në formatin që e kemi opinionin”, vazhdoi Buleshkaj.

“Ajo ka bërë një pyetje, ka thënë a mundem, ka kërkuar një sqarim se tash edhe kam harruar… por nëse dikush kërkon sqarim, ne jepim sqarim. Nëse kërkon opinion, ne nxjerrim opinion. Ose nëse është qaq komplekse, ne themi s’mund të kthejmë përgjigje shpejt, duhet me u bo hetimi më i detajshëm dhe pastaj e kthejmë në formë të opinionit”, përfundoi Buleshkaj.