Grupi Parlamentar i LDK-së ka mbajtur mbledhje ku është diskutuar situata politike pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ata vlerësuan se vendimi ka sjellë qartësi juridike dhe ka rikthyer procesin institucional në kornizën kushtetuese, duke përcaktuar rrugën që duhet ndjekur nga institucionet.
LDK riafirmoi përkushtimin për respektimin e rendit kushtetues, funksionimin normal të institucioneve dhe ruajtjen e balancës demokratike. Ata theksuan se çdo veprim politik duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore, jo nga kalkulimet partiake.
Gjithashtu, u kundërshtua çdo tendencë për përqendrim të pushtetit, duke theksuar se Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese mbi palët politike dhe në shërbim të stabilitetit të vendit.
Në përfundim, LDK ritheksoi se zgjedhja e Presidentit mund të bëhet vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, ndërsa çdo improvizim procedural është i destinuar të dështojë.
Ky është njoftimi i plotë:
Sot, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi rrjedhën institucionale pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë mbledhjes, u vlerësua se Aktgjykimi ka sjellë qartësi të nevojshme juridike dhe ka rikthyer procesin në kornizën kushtetuese, duke përcaktuar rrugën që institucionet duhet të ndjekin në vijim.
Grupi Parlamentar i LDK-së riafirmon qëndrimin e tij të palëkundur për respektim të plotë të rendit kushtetues, funksionim normal të institucioneve dhe ruajtje të balancës demokratike në vend. LDK konsideron se çdo veprim politik në këtë fazë duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia shtetërore dhe jo nga kalkulimet partiake.
LDK mbetet e përkushtuar për një zgjidhje që garanton unitet institucional, përfaqësim gjithëpërfshirës dhe shmang çdo tendencë për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme. Institucioni i Presidentit duhet të jetë figurë unifikuese, mbi palët politike, dhe në shërbim të rendit kushtetues dhe stabilitetit të Republikës.
AdvertisementSiç ka theksuar vazhdimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së Presidentit nuk mund të zgjidhet përmes improvizimeve procedurale, por vetëm përmes një marrëveshjeje të mirëfilltë politike, që siguron unitet institucional dhe balancë demokratike. Në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, çdo tentativë tjetër është e destinuar të dështojë.
Për rrjedhojë, përgjegjësia për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje dhe për menaxhimin e këtij procesi i takon partisë së parë. Çdo dështim për të arritur një zgjidhje do të bartë drejtpërdrejt përgjegjësinë politike për pasojat që pasojnë, përfshirë edhe shkuarjen në zgjedhje.
Në rast të dështimit dhe shkuarjes në zgjedhje, Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë e bashkuar, e qartë në vizion dhe e gatshme për besimin qytetar.