LAJMI I FUNDIT: Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë – nisin hetimet ndaj policisë për raportin krejt ndryshe

Advertisement

Llapi.info ka raportuar mbrëmë për mënyrën se si ishte raportuar nga Policia e Kosovës rasti i vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë, raporton tutje Llapi.info.

Policia, në raportin e saj të datës 15 janar, kishte thënë se viktima ishte therur me thikë. Por, që nga momenti kur portali Llapi.info, pati cituar këtë raport, në adresë të faqes kanë ardhur mesazhe të shumta nga ana e familjarëve dhe miqve të të ndjerit për raportim jo të saktë.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therrur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”- thuhej në raportin policor të 15 janarit 2024.

Advertisement

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka nisur hetimin për të zbardhur rastin e trajtimit të rastit të të riut Lulzim Fejzullahu nga Podujeva.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, i tha Gazetës Express se po mbledhin informacionet, duke përfshirë edhe shkresat e Policisë lidhur me këtë rast që u përshkrua ndryshe ditën kur ndodhi, nga çfarë treguan pamjet e publikuara dje.