Kaq qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Kosovës nga 3 janari

Advertisement

Afër 39 mijë qytetarë kanë aplikuar për pasaporta të Republikës së Kosovës që nga 3 janari e deri tash.

Ky numër po konsiderohet mjaft i madh në Agjencinë për Regjistrim Civil, ku thonë se po punojnë në kushte të jashtëzakonshme e ku do të kalojë më shumë se 30 ditë, derisa qytetari të pajiset me pasaportë

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj, ka thënë për KosovaPress, se i kanë ngritur të gjitha kapacitetet për të pajisur qytetarët me pasaporta, për shkak se janë në gjendje të jashtëzakonshme.

Camaj u shpreh se qytetarët duhet të presin 30 ditë që të marrin pasaportat, pasi që janë në situatë të jashtëzakonshme nga fluksi i madh i aplikimeve.

Përndryshe, zyrtarë në Aeroportin e Prishtinës, kanë njoftuar se nga data 1-15 janar 2024, nga 1-15 janar, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë janë regjistruar 103.248 udhëtarë në shkuarje, apo 20.531 udhëtarë më shumë se dyjavëshin e parë të vitit 2023.

“Kemi rreth 20% fluturime më shumë dhe rreth 15% udhëtarë më shumë se sa në periudhën e vitit të kaluar. Përafërsisht 112 fluturime janë më shumë dhe rreth 23 000 udhëtarë më shumë”, kanë potencuar zyrtarët e Aeroportit.

Advertisement

Kurse, drejtuesit e institucioneve po mundohen të mohojnë daljen e qytetarëve të Kosovës në vende të ndryshme pas liberalizimit të vizave. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka shkruar se sipas të dhënave nga pikat kufitare, nga 1 janari i këtij viti, kur vendi ynë gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza e deri më 19 janar, në Republikën e Kosovës nga të gjitha pikat kufitare kanë hyrë 3687 autobusë, ndërsa kanë dalur nga të gjitha pikat kufitare 2408 autobusë.