Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë që u mbajt të premten, ka propozuar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Ai ka treguar shtesat për secilën kategori.
“Shtesat për njësitë elitare, Njësia speciale intervenuese, Njësia për ndërhyrje të shpejtë, njësia për mbrojte të afër janë nga 150 euro shtesë pagës bazë, 120 euro shtesë për njësitë speciale operative K9 dhe njësinë për eksplozivët dhe deminim, pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarët e hetuesisë nga 75 euro në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat që njëherazi përbejnë numrin më të madh të policëve do të marrin nga 60 euro në muaj, kurse policëve që angazhohen në sigurim të objekteve dhe ata që angazhohen në menaxhim të operacioneve do të ju ndahen nga 50 dhe respektivisht 45 euro shtesë të rrezikshmërisë”, është shprehur Kurti.
Por një gjë e tillë është e papranueshme për Policinë e Kosovës.
Në një prononcim për Front Online, kryesindikalisti Imer Zeqiri e konsideron nënçmuese këto mjete që Qeveria i ka ndarë për Policinë e Kosovës.
“T‘i jepet policit 45-50 euro për rrezikshmëri, definitivisht është nënçmuese për mua si kryetar i sindikatës. Domethënë është e papranueshme, ka me pasë reagim edhe prej kolegëve që nuk kanë me e pranu këtë shtesë. Përndryshe të shohim si po na rrjedh situata”, u shpreh ai.
Ai thotë që policia po duhet të rrezikojë jetën për 50 euro.
“Është e papranueshme ky nivel apo kjo shumë e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, kur dihet se sa po rrezikohet policia. Po u dashka polici me rreziku jetën për 50 euro”, deklaroi ai për Front Online.
Ai ka thënë se këto shtesa do të fillojnë të aplikohen nga muaji nëntor.