Tahiri: Diplomacia kosovare në gjumë, Kosovës nuk iu hoqën ndëshkimet, e Serbia ende e pandëshkuar

Advertisement

Ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka thënë se diplomacia kosovare është në gjumë, shkruan Reporteri.net.

Përmes një postimi të bërë në Facebook, Tahiri ka thënë se Kosovës ende nuk iu hoqën ndëshkimet, ndërsa Serbia vazhdon të jetë e pandëshkuar.

“Çfarë po ndodh? Kosovës nuk iu hoqën ndëshkimet ndërkombëtare ndërsa Serbia ende e pandëshkuar! diplomacia jonë në gjumë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Për sulmin terrorist të 24 shtatorit, Kryeministri Kurti, edhe Presidentja Osmani kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia të sanksionohet dhe ndëshkohet nga ndërkombëtarët.

Ata kanë paralajmëruar se nëse një gjë e tillë, nuk ndodh, Serbia mund ta përsërisë krimin.

Ndërkaq, emisarët perëndimorë i kërkuan Beogradit gjatë takimeve të së shtunës që të bashkëpunojë plotësisht në hetimin rreth rastit të Banjskës.

Por, në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë.

Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.

Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.

Advertisement

Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”

Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë./Reporteri.net/