Deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, i cili përpiloi tekstin e Rezolutës së miratuar së fundmi për sulmin terrorist në Banjskë, ka thënë se komuniteti ndërkombëtar do të veprojë në mënyrë edhe më rigoroze ndaj Serbisë nëse Millan Radojçiq nuk ekstradohet në Kosovë.
Ai ka thënë se veprimet e bashkësisë ndërkombëtare mund përfshijnë masa të rrepta politike dhe diplomatike.
Në një intervistë për mediumin serb Nova.rs, Picula tha se refuzimi për ekstradimin e Radojçiqit nga Serbia, “mund të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Refuzimi i ekstradimit mund të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të vështira mes Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë”, tha ai.
Ai ka thënë se Parlamenti Evropian kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës.
Parlamenti Evropian të enjten ka miratuar rezolutën me të cilën dënon sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Në rezolutë, sulmi cilësohet terrorist dhe do të kërkojë përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.
Teksti i rezolutës është përpiluar nga disa propozime të grupeve politike në PE.
Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.
Në tekstin e draft-rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.