Sytë e gjithë Europës do të jenë ditën e sotme (16 tetor 2023) në Tiranë, ku po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit. Gjithçka është gati, ka nisur mbërritja e lidërve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit, të cilët po priten nga vetë kryeministri Edi Rama.Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbërriti dje në Tiranë, ndërsa mbërriti edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. I pranishëm do të jetë edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Nuk mund të mungonte kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit. Në punimet e samtit pritet të marrë pjesë edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron anuloi pjesëmarrjen, mirëpo pasdite do të jetë në Tiranë vizitën e parë zyrtare. Ndërkohë, të pranishëm do të jenë edhe 6 përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimorë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Ed Rama. Për herë të parë, që pas përplasjeve me Ramën, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga radhët e Serbisë pritet që të marrë pjesë kryeministrja Ana Brnabic dhe jo presidenti Aleksandër Vuçiç. Samiti zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së dhe organizimi i është besuar qeverisë shqiptare. Do të ketë një fjalë hapëse nga Rama, Scholz, Michel dhe Von der Leyen. Kjo e fundit ka paralajmëruar një paketë të re investimesh nga Bashkimi Evropian mes vendeve të unionit dhe Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në orën 12:00 do të nisë punimet sesionin i parë, ku do të diskutohet mbi Integrimin e Rajonit në Tregun Unik dhe Përmirësimi i Konvergjencës me BE. Në sesionin e dytë, do të diskutohet bashkëpunimi për investime në fusha të ndryshme, ndërsa në fund do të këtë një konferencë të përbashkët Rama-Scholz Von der Leyen. Punimet e Samitit përmbyllen me inaugurimin e Kolegjit Evropian dhe qendrës Tumo, piramidës së transformuar, ku do të mbahen punimet e samitit. Samiti i Berlinit do t’i kushtojë shtetit 51 milionë lekë.
Advertisement
Advertisement