Vdes arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Martti Ahisaari

Advertisement

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.

Siç ka bërë të ditur faqja zyrtare e Presidencës finlandeze, Ahtisaari vdiq në mëngjesin e së hënës në Helsinki.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, ka thënë presidenti aktual finlandez, Sauli Niinistö.

Ahtisaari ishte i dërguari special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, i ngarkuar për organizimin e negociatave të procesit të statusit të Kosovës, mbi planin e të cilit Kosova më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë

President i Finlandës nga viti 1994 deri më 2000, Ahtisaari u shpërblye edhe me Çmimin Nobel për Paqe pikërisht në vitin 2008 për kontributin e tij dhënë përfundimit të konflikteve edhe në Indonezi, Namibi apo Irlandën Veriore.

Advertisement

Nga jeta publike dhe politike u tërhoq në shtator pasi u diagnostikua me sëmundjen e Alzajmerit.

Dokumenti i hartuar prej tij, i njohur dhe si pakoja Ahtisari, ishte ai që hodhi në vija të përgjithshme konturet e shtetit të Kosovës.

Ky plan ishte rezultati i përpjekjeve të gjata të Kosovës për të mbërritur deri në një zgjidhje të statusit të saj përfundimtar.