Më shumë se katër muaj më parë, në fund të muajit maj, një kontrollor i Zyrës Postare të Postës së Kosovës në Malishevë përfundoi në Komision Disiplinor.
Shkumbin Krasniqi, kontrollor postar, dyshohet se i mori 700 euro mjete të realizuara në njërën nga pikat e Zyrës Postare në Malishevë. Mjetet, ai i ka marrë si “huazim për nevoja të tij personale”, bazuar në një dokument të Inspektoratit Postar të cilin e ka siguruar Paparaci.
Shkumbin Krasniqi, një zyrtar disa vjeçar i Postës së Kosovës, është vëllai i Alban Krasniqi, funksionarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Brenda dy viteve të fundit, ai është avancuar dy herë në pozitë. Nga postier, në zyrtar për Kujdesin e Konsumatorëve, në Kontroller.
Sipas raportit të Inspektoratit Postar, Krasniqi dyshohet se e ka keqpërdorur pozitën e tij të Kontrollorit në postën publike në Malishevë.
“Bazuar në raportin e Inspektoratit Postar nr.77/23 dt.25.05.2023, Shkumbin Krasniqi, Kontrollor ne ZP Malisheve 01, nuk ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e tij të punës te parapara me regullore për sistematizimin dhe përshkrimin e vendeve të punes, i cili në baze të deklaratës së punëtorit/përgjegjësit të ZP Malishevë 03, Flurim Ramadani, kontrollori ne fjalë thuhet t’ia ketë marrë mjetet e realizimit te pagesave te IFJB-s në shumën prej 700.78 €, si huazim për nevoja te tij personale”, thuhet në raportin e Inspektoratit, i protokolluar më 25 maj, 2023.
Dokumenti tregon se për shkak të veprimeve të Krasniqit, kanë ndodhur vonesat e dorëzimit të mjeteve në arkën qendrore të Postës në Malishevë.
“Kjo mungesë financiare është konstatuar gjatë regjistrimit te Inspektoratit Postar me datën 16.05.2023, prandaj sipas punëtorit kanë ndodhur vonesat ne dorëzimin e mjeteve në arkën e 2P Malishevë 01”, thuhet në raport.
Kontrollori Krasniqi, bazuar në raport, e kishte plotësuar një ditë më vonë mungesën e mjeteve të cilave i kishte marrë në formë huaje.
“Plotësimi i mungesës financiare është bërë të nesërmen nga kontrollori Shkumbin Krasniqi, mirëpo sipas dëshmive kontollori Shkumbin Krasniqi përsëri me datën 19.05.2023(në përfundim të orarit) ia ka marrë punëtorit Flurim Ramadani në ZP Malishevë 03 ë shumën prej 3,437.50 euro dhe ia ka kthyer në mëngjes të datës 22.05.2023 (e hënë)”, thuhet në dokument.
Ai, po ashtu dyshohet se disa ditë pas incidentit të parë, më 22 maj, ka shkuar për verifikim të gjendjes në zyrën e njëjtë postare dhe “e ka gjetur kontrollorin në fjalë duke i bërë regjistrim punëtorit në ZP Malishevë 03, pa kurrfarë autorizimi nga eprorët përgjegjës më lart”.
“Andaj në bazë të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale, punëtori Shkumbin Krasniqi ka bërë shkelje të detyrave të punës, të parapara me nenin 7”, thuhet në raport. “Drejtoria e Inspektorëve Postar procedon lëndën në Komision Disiplinor sipas nenit 11.3 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të PK Sh.A, ndaj punëtorit Shkumbin Krasniqi për shkelje të rënda disiplinore”.
Në muajin qershor të vitit 2021, Shkumbin Krasniqi, ishte avancuar herën e parë në Postën e Kosovës. Nga postier, ishte emëruar në pozitën e Zyrtarin për Kujdesin e Konsumatorëve.
Ky avancim kishte bërë që Krasniqi të kishte rritje të konsiderueshme të pagës.
Pesë muaj më vonë, ai ishte avancuar në pozitën e Kontrollorit të Zyrës Postare në Malishevë. /Paparaci.com