Millan Radoiçiç e ka pranuar se ka qenë në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.
Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviç për publikun nga Beogradi.
“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Avokati, duke e lexuar letrën e Radojçiçit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiç nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.
Radojçiç ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”, dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.
“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ulje shtensionim, dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar qetësimin tonë të situatës si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për negociatat, por si dobësi”, është thënë mes tjerash në letër.
Radojçiç i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.
“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.
