Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka konfirmuar se Milan Radojçiq ishte pjesë e grupit të personave që kryen sulm terrorist të dielën e kaluar në veri të Kosovës.
Pyetjes së gazetarit të RTS-së, Gorislav Papiq: “Sa dini për organizimin e atyre njerëzve, që komandojnë ata njerëz nga Kosova, a i njihni ata njerëz”, Vuçiq, u përgjigj: “Si të mos e njihja Milan Radojçiqin”.
“A i komandon ai?” e pyeti më pas gazetari.
“Nuk e di nëse ishte komanduesi, por ju më pyetët nëse i njihja ata njerëz. E njoh Milan Radojçiqin. Nuk e di kush ishin këta të tjerët dhe nuk e njoha asnjërin. Tani kam dëgjuar për këta njerëz”, u përgjigj Vuçiq.
Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, ishte pjesë e grupit terrorist që vrau të dielën një pjesëtar të policisë dhe plagosi një tjetër.
Madje është publikuar edhe një video e realizuar nga droni gjatë ditës kur forcat e Policisë së Kosovës po ndiqnin grupin e armatosur. Aty shihet një person për të cilin ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se është Radojçiq. /Reporteri.net
https://video.gjirafa.com/rec-2023-09-28-15-49-24