Analistë në Beograd vlerësojnë se sulmi i grupit të armatosur serb në Kosovë, nuk ishte i papritur, por një ngjarje e paralajmëruar, që pritet të ndryshojë parametrat e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar një realitet krejtësisht të ri mes dy vendeve.
“Do të jetë shumë e vështirë të menaxhohen dy gjëra, fillimisht, reagimi shovinist, etno-nacionalist rreth humbjes së kontrollit të territorit në pjesën veriore të Kosovës, gjë që ka ndodhur në realitet… Në këtë moment, përqëndrimi është në siguri dhe kjo nuk është gjë e keqe, sepse më në fund njerëzit do ta kuptojnë që zgjidhja nuk vjen me konflikte e dhunë dhe këtë duhet ta pranojnë. Jam i bindur se shumica e njerëzve që jetojnë në Beograd e pranojnë realitetin – realitetin që asgjë nuk mund të arrihet me forcë në Kosovë”, deklaroi Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike.
Sipas Janjiqit, Beogradi është i përfshirë në strehimin në Serbi te agresorëve që nuk u arrestuar apo dhe që nuk janë në spitale, në Prishtinë dhe Vuçic tashmë e ka pranuar përgjegjësinë kur e përcaktoi ngjarjen si protestë e qytetareve serbë dhe jo të kriminelëve
“Nuk ma merr mendja se do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm të situates në Kosovë. Nëse Beogradi ka dashur të bëjë diçka, tani është e qartë që një gjë të tillë nuk mund ta bëjë në Kosovë. Ndoshta mund ta bëjë në Bosnjë, por në Kosovë, kjo vatër e nxehtë është tani e mbrojtur nga BE-ja, NATO-ja dhe prania amerikane”, theksoi Janjic, duke shtuar se njerëzit në Serbi janë shumë të frikësuar nga një luftë e re