𝐀𝐳𝐞𝐩𝐱 đŁđžđ© đ©đšđ«đšđ„đšđŁđŠĂ«đ«đąđŠđąđ§: Mbi 80% e kompanive kanĂ« mungesĂ« tĂ« punĂ«torĂ«ve, ikje masive pas liberalizimit

Advertisement

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë për Ekonomia Online se mbi 80% e kompanive kanë mungesë të punëtorëve.

Azemi theksoi se nga 2021 i mbi 100 000 punĂ«torĂ« kanĂ« ikur nga Kosova. Gjithashtu ai tha se deri nĂ« fund tĂ« vitit do ketĂ« “qetĂ«sim” tĂ« ikjeve pasi tĂ« rinjtĂ« do presin liberalizimin pĂ«r t’u kursyer nga shpenzimet e aplikimeve pĂ«r viza nĂ«pĂ«r ambasada.

Kjo ikje sipas tij, më së shumti po prek bizneset duke u shprehur në veçanti i shqetësuar për numrin në rënie të punëtorëve të kualifikuar.

“KompanitĂ« e mĂ«dha po edhe tĂ« vogla sot kanĂ« problem; mbi 80% e kompanive kanĂ« mungesĂ« tĂ« punĂ«torĂ«ve. Po flasim pĂ«r punĂ«torĂ« tĂ« profileve tĂ« ndryshme sepse punĂ«torĂ« krahu edhe sot gjenden, ndonĂ«se jo nĂ« njĂ« numĂ«r tĂ« dĂ«shirueshĂ«m. Por numri i punĂ«torĂ«ve tĂ« kualifikuar Ă«shtĂ« nĂ« rĂ«nie e sipĂ«r nĂ« KosovĂ«â€.

Kryesindikalisti i sektorit privat tha se paga minimale për këtë vit duhet të jetë 450 euro ndërsa për vitin tjetër 500.

Madje sipas tij, paga në sektorin privat janë rritur, por jo edhe për punëtorët që kryejnë shërbime në institucionet publike, e që punojnë për kompani private.

“Realisht ka rritje tĂ« pagave nĂ« sektorin privat aty ku nuk ka prekje shteti. Ju e dini qĂ« njĂ« pjesĂ« bukur e madhe e punĂ«torĂ«ve tĂ« sektorit privat kryejnĂ« shĂ«rbime nĂ«pĂ«r institucionet shtetĂ«rore dhe aty ku ne kryejmĂ« shĂ«rbime nĂ«pĂ«r institucione shtetĂ«rore pagat janĂ« pothuajse mizerje, kemi pagĂ«n diku prej 170 euro dhe deri diku mesatarisht 300 euro”.

Advertisement

“Faktikisht janĂ« pagat mĂ« tĂ« mĂ«dha, aty ku nuk ka prekje shteti janĂ« sidomos nĂ« ndĂ«rtimtari, paga nĂ« tĂ« cilat ndonĂ«se kemi lĂ«vizje pozitive por megjithatĂ« nuk Ă«shtĂ« as pĂ«r sĂ« afĂ«rmi ajo e dĂ«shirueshmja”, tha ai.

Azemi shprehet i zhgënjyer me mos përkrahjen nga institucionet duke thënë se janë të neglizhuar.

“Realisht domethĂ«nĂ« punĂ«torĂ«t e sektorit privat tĂ« KosovĂ«s kanĂ« qenĂ« dhe janĂ« nĂ« njĂ« stuhi pĂ«r tĂ« cilĂ«n po themi askush nuk merret me kĂ«tĂ« çështje. Me neve merren vetĂ«m atĂ«herĂ« kur vijnĂ« ditĂ«t e zgjedhjeve pĂ«r tĂ« cilat mendoj se tashmĂ« punĂ«torĂ«t e sektorit privat tĂ« KosovĂ«s janĂ« tĂ« ngopur me proklamimet, janĂ« tĂ« ngopur me deklaratat se ne do tĂ« bĂ«jmĂ« kĂ«tĂ« ose atĂ«â€.